KID nisi aktivitetet

Klubi i Intelektualëve të Dervenit nisi aktivitetet e tij me tribunën me temë “Veçoritë etnokulturore të Dervenit”. Studiues të ndryshëm, në këtë tribunë, prezantuan pikëpamjet e tyre shkencore mbi këtë rajon të Shkupit duke shkoqitur veçanti të ndryshme që i takojnë popullatës së rajonit. Kryetari i këtij klubi, Isamet Bakiu në prezantimin e letërnjoftimit të këtij organizmi të ri joqeveritar u shpreh se përveç tribunave të këtilla, KID-i do të organizojë edhe promovime të veprave të ndryshme të autorëve që prejardhjen e kanë nga kjo trevë, do të organizojë konferenca shkencore, bashkëbisedime me nxënës dhe studentë, si dhe aktivitete tjera të ndryshme. Profesori i sociologjisë, Ali Pajaziti foli në temën “Derveni- një vështrim socio-kulturor”, studiuesi i folklorit dhe etnologjisë, Izaim Murtezani foli mbi eposin heroik të Dervenit te Shkupit, profesori i gjuhës shqipe, Ismet Osmani foli mbi të folmen e Dervenit dhe karakteristikat e saja, pedagogu nga ky rajon Baki Bakiu bërë elaborim të zhvillimit historik mbi arsimin në Derven, ndërsa studiuesi i mediave dhe komunikimit, Sefer Tahiri foli mbi imazhin e rajonit në media dhe në hapësirën publike. Ndërkaq botuesi Azam Dauti u fokusua mbi zhvillimet kulturore në rajon duke u ndalur ne veçanti mbi veprimtarinë botuese të autorëve nga Derveni i Shkupit. Më pas pjesëmarrësit në tribunë debatuan mbi këto tema duke gërshetuar mendime dhe qëndrime të ndryshme dhe duke ardhur në konkluzionin që ky rajon që në të kaluarën është lënë pas dore nga sistemet e ndryshme ka nevojë për zhvillim, sidomos në fushën e arsimit dhe kulturës. Debati u zhvillua në ambientet e kompanisë “Dauti komerc”, e cila është shprehur e gatshme të ofrojë zyrat e saj për organizimin e aktiviteteve të KID-it. Debati i radhës i KID-it është paraparë të zhvillohet kah fundi i këtij muaji dhe do të fokusohet në shtjellimin e disa paradigmave shkencore të librit “Ballkani imagjinar” të Marija Todorovës që do të shërbejnë si premisa edhe në funksion të sendërtimit të imazhit dedikuar Dervenit të Shkupit.