Kanë ngecur negociatat për ligjin për regjistrimin e popullsisë. Dy partitë politike më të mëdha në Kuvend, të cilat ishin edhe pjesë e grupeve të punës për këtë ligj, nuk kanë sqarime për ngecjet. Sipas VMRO-DPMNE-së, organizimi i takimeve i është lënë në dorë LSDM-së por ajo nuk tregon interesim.

Nuk ka asnjë iniciativë nga ana e pushtetit edhe pse ishim dakorduar që ata ta ndërmarrin iniciativën dhe ta caktojnë më tej se si do të vijojnë negociatat mes grupeve të punës. Mundem vetëm të ju them se më shumë se 2-3 javë nuk ka asnjë iniciativë nga ana e pushtetit për takim të grupeve të punës për regjistrimin –  tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM-ja hedhin poshtë pretendimet e VMRO-DPMNE-së por nuk tregojnë arsyet për shkak të cilave grupet e punës nuk takohen më.

Është e njohur për opinionin se VMRO-DPMNE-ja në vazhdimësi shpërndan lajme të rrejshme. Absolutisht e hedh poshtë pretendimin që ne nuk duam të takohemi për ligjin për regjistrimin e popullsisë. Shpresoj që shumë shpejtë, grupet e punës do të takohen dhe më në fund do të merret vendim në lidhje me këtë ligj – u shpreh Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.

Javë më parë ishin zhvilluar vetëm disa takime fillestare mes grupeve të punës të pushtetit dhe opozitës për ligjin për regjistrimin e popullsisë por me komplikimin e negociatave për ligjin e prokurorisë, u ndërprenë edhe ata për regjistrimin. Nga Qeveria, si propozues, kërkojnë miratim të shpejtë të ligjit në fjalë.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozim/ligjin për regjistrim të popullsisë. Propozim-ligji është dërguar për miratim në Parlament dhe Qeveria pret dhe kërkon nga partitë politike që të ulen, të bisedojnë dhe t’i tejkalojnë të gjitha dallimet që të miratohet sa më shpejt propozim-ligji sepse ai parasheh që në vitin 2020 të realizohet ky proces shumë i rëndësishëm statistikor për vendin tonë – deklaroi Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë.

Muaj më parë, drejtori i Entit Shtetëror të Statistikës Apostoll Simovski kishte deklaruar se vonesat në miratimin e ligjit nuk do të ndikojnë në realizimin e regjistrimit, proces i cili duhet të bëhet në prill të vitit të ardhshëm. Megjithatë, askush nuk parashikonte që vonesat do të zgjasnin disa muaj. Propozim/ligji parashikon që regjistrimi të zhvillohet nga 1 deri 31 prilli kurse një muaj përpara të fillojë regjistrimi elektronik i shtetasve që jetojnë jashtë vendit. Ai do të zhvillohet mbi bazën e përcaktimit të vendbanimit të zakonshëm./Alsat

Loading...