Kryetari i Komisionit Evropian Zhan Klod Junker në pres konferencë pas përfundimit të Samitit dyditor në Bruksel tha se mos hapja e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një gabim historik.

“Këtu nuk bëhet fjalë për atë nëse vendet janë të gatshme për hyrje në BE, por nëse kandidatët i plotësojnë kushtet për fillimin e negociatave. Shumë vende konsiderojnë se nuk ka pasur një gatishmëri të tillë. Unë mendoj se ky është një gabim historik”, deklaroi Junker, duke shprehur një zhgënjim të madh nga rezultatet e debatit për zgjerim.

Pyetjes se cilat janë pasojat nëse ky është fillimi i fundit të procesit të zgjerimit të BE-së Junker tha se nëse ky është fundi i zgjerimit atëherë duhet që të ballafaqohemi me kriza serioze.

“Ne i kemi mbështetur këto shtete, i kemi ndihmuar dhe i kemi përkujtuar këto shtete, i kemi dhënë premtime publike. Nëse duam të jemi të respektuar ne doemos duhet t’i mbajmë premtimet tona”, tha Junker.

Loading...