Me mjete nga Programi për zhvillim të barabartë rajonal të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale deri në fund të vitit do të realizohen 74 projekte të reja për zhvillim të fshatrave dhe rajoneve me nevoja specifike zhvillimore në 54 komuna. Vlera e përgjithshme e projekteve është 124 milionë denarë, apo dy milionë euro. Për atë qëllim sot në Qeveri u nënshkruan marrëveshjet për financim të projekteve me kryetarët e komunave, projektet e të cilave u miratuan.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, i cili mori pjesë në nënshkrim, tha se këtë vit Programi për zhvillim rajonal paraqet shtatë milionë euro për dallim nga viti i kaluar kur paraqiste pesë milionë euro.

“Tani janë nënshkruar marrëveshje për 74 projekte nga rajone rurale dhe për rajone me nevoja specifike, 35 projekte për zhvillim në fshatra, 39 projekte për rajone zhvillimore me nevoja specifike, do të ndahen rreth dy milionë euro. Ato janë 30 për qind nga programi i përgjithshëm prej shtatë milionë eurove, dhe paraqesin 410 milionë denarë në nivel vjetor”, tha Angjushev.

Sipas tij, qëllimi është të financohen projekte, para së gjithash, në infrastrukturë, sepse, nëse vazhdojmë të zhvillojmë vetëm disa qendra më të mëdha, do të na ndodhë të mos kemi shtet të barabartë, dhe me zhvillim të barabartë rajonal.

Zëvendëskryeministri përkujtoi se në bashkëpunim me Ambasadën zvicerane në rrjedhë është përgatitja e softuerit me të cilin në fund të vitit do të mund të shihet se si janë shpenzuar paratë nga shteti, me qëllim që të bëhet kontrolli në ngritjen e standardit të banorëve dhe të qytetarëve të cilët janë jashtë rajoneve të mëdha urbane.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Goram Mileski, informoi se javën e kaluar në Sofje janë nënshkruar marrëveshje për financim të 17 projekteve të reja nga Programi për bashkëpunim tejkufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në vlerë të përgjithshme prej 420 milionë denarëve.

Siç shtoi Mileski, këtë vit do të financohen 35 projekte për zhvillim të fshatrave, në vlerë të përgjithshme prej 41,3 milionë denarëve, në të gjitha tetë rajonet planore – në atë të Shkupit do të financohen katër projekte, në Rajonin juglindor gjashtë, në atë Lindor pesë, në Rajonin e Pellagonisë tre, në të Pollogut tre, në Rajonin jugperëndimor katër, në të Vardarit shtatë dhe në Rajonin Verilindor tre projekte.

Theksoi se projektet kryesisht kanë të bëjnë me ndërtim dhe rikonstruim të rrugëve lokale, sisteme për ngrohje në shkolla fillore, sisteme për derdhje të ujërave të zeza, përmirësim të procesit për grumbullim të mbeturinave, vendosje të pajisjes urbane dhe të ngjashme.

Me mjete nga Programi për zhvillim të barabartë rajonal dhe Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale për vitin 2019 tashmë janë në fazë të realizimit edhe 43 projekte për zhvillim të tetë rajoneve planore, në vlerë të përgjithshme prej 290 milionë denarëve.

Në Byronë për zhvillim rajonal, siç informoi drejtori Ramiz Rexhepi, kanë arritur numër i madh i projekteve dhe nevojiten më shumë mjete në Programin për zhvillim të barabartë rajonal për përmbushjen e nevojave të qytetarëve.

Në ngjarje folën edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, kryetarja e Komunës së Mogillës, Jasmina Gulevska dhe kryetari i Komunës së Shtipit, Bllagoj Boçvarski, të cilët theksuan se me projektet të cilat do të realizohen, zgjidhen probleme të mijëra qytetarëve, me ç’rast e përshëndetën tendencën e Qeverisë për rritje të mjeteve në Programin për zhvillim të barabartë rajonal, si dhe vendimin e Qeverisë për vazhdim të procesit të decentralizimit.

Loading...