Hidhja-futja dhe etika politike shqiptare në RMV

Shkruan: Arbër Çeliku

Derisa nuk e pashë me sy dhe nuk e dëgjova me veshë, nuk mund ta besoja, por tashmë jam i bindur se politika jonë nuk e njeh nocionin e etikës. Ose, ta them troç, asgjë nuk ka më sterile, përderisa faji dhe pafajësia nuk qëndrojnë në një raport komplementar dhe, si rrjedhojë, përgjegjësia nuk merr karakter publik. Sapo të bësh një faj politik, një pjesë e publikut dhe mediave ta kthejnë në pafajësi, duke e zbehur kësisoj dukshëm edhe atributin e përgjegjësisë. Faktet, normat dhe rrethanat relativizohen aq shumë, sa edhe Ajnshtajni do të na e kishte pasur lakminë si shoqëri.

Me gjithë ato gabime, lajthitje, mëkate dhe faje, partitë, të cilat mbi dy dekada e dominojnë skenën tonë politike, jo që nuk u ndëshkuan, por po ngriten edhe më fuqishëm. Me gjasë e kanë kuptuar se pikërisht atributet e këtilla janë burim energjie dhe veprojnë me rrjedhën e rrymës.

Qëllimi im me këtë rast nuk është të hap një diskutim mbi veprimtarinë e tyre politike, por ta shtjelloj raportin midis racionalizimit dhe pushtetit:

1. Mbase nuk është aspak e përshtatshme të shihet si një tërësi racionalizimi i shoqërisë dhe kulturës, por të analizohet procesi në disa fusha, secili prej tyre i bazuar në një përvojë fundamentale: sëmundje, çmenduri, korrupsion, krim, amoralitet dhe kështu me radhë, të cilat janë kthyer në shtyllat kryesore të pushtetit shtetëror dhe shoqëror.

2. Si rrjedhojë, sintagma hidhja-futja është kthyer në filozofinë tonë politike dhe nuk rimerr assesi trajta të mirëqena, ngaqë thjesht ka filluar të na vijë mirë dhe nuk duam t’ia prishim terezinë vetes.

3. Edhe nëse krenohemi me epitetin e patriotizmit denbabaden, duhet pranuar se ai po pëson ndryshime radikale me teknologjinë politike. Kështu, ne duhet t’u referohemi në mënyrë më analitike proceseve tona të së shkuarës (së afërt), nëse duam ta kuptojmë se si kemi ngecur në historinë tonë të lavdishme dhe nuk bëjmë dot asnjë hap përpara. Patriotizëm është edhe ta ndëshkosh të shpërfytyruarën, jo t’i thurrësh lavde.

Partitë e reja (opozitare, siç e quajnë veten), të cilat lindën, të themi, si antagonizëm i partive të vjetra, për të ofruar një modus operandi dhe për ta përshpejtuar procesin e teknologjisë politike, duke parë, njohur dhe mësuar, me kohën po rrëshqasin në filozofinë tashmë të etabluar politike tonën, e cila është sublimuar në sintagmën e thjeshtë kuptimore: hidhja-futja, dhe që disa muaj po zhvillohet në tabelën e një ping-pongu bajat.

Shpejt pritet të shpallet fituesi, por humbësi më i madh, si zakonisht, do të jetë populli. Dhe ç’ne se?! Ai ashtu-ashtu, nga politika, ka kohë që shihet si një entitet abstrakt.