Gjendja epidemike përmirësohet më tej në mbarë Kinën

Autoritetet kineze deklaruan të martën se gjendja e parandalimit dhe e kontrollit të pneumonisë së koronavirusit të ri në mbarë vendin është përmirësuar më tej. Njëkohësisht, tregjet kryesore janë furnizuar me ushqime të mjaftueshme dhe funksionojnë normalisht.

Në një konferencë për shtyp në Pekin, zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës Mi Feng bëri të ditur:

“Në krahasim me kulmin e epidemisë, më 17 shkurt numri i rasteve të reja të diagnostikuara në mbarë vendin u ul për herë të parë nën 2 000. Jashtë provincës Hubei, numri i rasteve të reja të diagnostikuara u ul për herë të parë nën 100. Po ashtu, edhe numri i përgjithshëm i vdekjeve në ditë ra për herë të parë nën 100. Këto tre ‘herë të para’ tregojnë përmirësimin e gjendjes së epidemisë.”

Gjatë epidemisë, edhe garantimi i furnizimit me ushqime ka qenë fokusi i vëmendjes. Lidhur me këtë, zyrtari i Ministrisë së Bujqësisë dhe të Çështjeve Rurale Song Danyang tha:

“Nga njëra anë është zbatuar përgjegjësia e kryebashkiakëve për ‘shportën e perimeve’ dhe, nga ana tjetër, janë lidhur prodhuesit me shitësit. Kemi nxitur edhe tregjet e shitjes me shumicë të blejnë aktivisht perimet, frutat e vezët që kanë mbetur të pashitura në fshat. Krahas kësaj, janë futur në përdorim edhe metodat e informatizimit, që të nxitet shitja në internet e produkteve bujqësore. Në këtë drejtim, disa platforma të biznesit elektronik, si ‘Alibaba’, ‘Pingduoduo’ etj., kanë organizuar aktivitete në ndihmë të fermerëve dhe kanë pasur rezultate.”

Song tha gjithashtu se, qysh pas shpërthimit të epidemisë, Ministria e Bujqësisë dhe e Çështjeve Rurale ka nisur sistemin e paraqitjes së përditshme të çmimit të ushqimeve në mbarë vendin dhe ka vëzhguar me vëmendje të madhe gjendjen e tregut në qytetin Wuhan. (Wang Lei)