Idriz Sinani
Kam nderim me respekt të Ju përshëndes në këtë takim, në emrin tim, të Këshillit për të Drejtat e Njeriut me seli në Shkup, dhe të shumë veprimtarëve për të drejtat e njeriut në Maqedoni, me të cilët me vite e dekada po zhvillojmë së bashku betejë të ashpër me pushtetet e tij vendi për realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve autoktonë, të cilat janë shkelur dhe mohuar pandalur deri në ditët e sotme.

Përveç shkeljeve të këtyre të drejtave, të njohura edhe në disa shtete të tjera jodemokratike të botës, pushtetet e kaluara në Maqedoni, jo vetëm ato të periudhës komuniste, por edhe pas pavarësimit të këtij shteti, janë shfaqur edhe në forma më të sofistikuara, të ashpra dhe me përmasa të terrorit shtetëror, sidomos përmes aksioneve të shpeshta policore dhe ushtarake në shumë vendbanime shqiptare dhe me pretekste të ndryshme, por edhe përmes shumë proceseve të montuara politike, disa prej të cilave ende nuk kanë marrë epilogun e duhur, as nga gjykatat e evndit dhe as nga drejtësia ndërkombëtare.

Me ardhjen në pushtet të qeverisë aktuale, një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë të mbetur në mëshirën e fatit, të zhgënjyer nga ngathtësia dhe paaftësia e krerëve politik shqiptarë, u reshtuan si votues në partinë shumetnike, Lidhjen Social Demokratike të Maqedonisë, me shpresë për zhgjidhjen e disa nga këto problemeve të trashëguara nga e kaluara.

Në këtë drejtim, për t’i çuar përpara proceset politike në vend dhe me qëllim të rritjes së kujdesit nga vetë shqiptarët për këta qytetarë të mbetur lëndë e eksperimenteve të qarqeve shoviniste në Maqedoni dhe jashtë saj, pas formimit të qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 dhjetorit 2016, krijuam një delegacioni shqiptar në nivel akademik, nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe SHBA, dhe realizuam një takim pune në Qeverinë e këtij shteti, me kryeministrin Zoran Zaev, në Shkup, 30 gusht 2017.

Ju njoftoj se nga ky takim për herë parë kemi arritur të marrim jo vetëm premtime, por edhe garanci me shkrim, se të gjitha proceset e montuara politike do të rishqyrtohen dhe për ato do të vendoset në frymën e të drejtës ndërkombëtare. Disa nga këto raste edhe kanë marrë epilog të duhur deri më sot, si Rasti i Sopotit, Rasti Monstra dhe disa raste të tjera, por ende nuk janë bërë hapat e nevojshëm edhe për rastin e Kumanovës, si proces i monutuar me përmasa tepër tragjike dhe me pasoja për fatin e shumë ish komandantëve të luftës së vitit 2001 në Maqedoni dhe për familjet e tyre.

Kërkesa e jonë ka qenë që në këtë rast të ndërhyjë më fuqishëm faktori ndërkombëtarë, për t’i bërë hetimet më të detajuara se vërtet çfarë ka ngjarë në këtë proces. Ata që janë të pafajshëm, të dënuar me burg të përjetshëm apo me vuajte dënimi prej 20-40 vjet, kemi kërkuar të lirohen, ndërsa porositësit dhe skenaristët e vërtetë të këtij rasti, bashkë me motivet e këtij procesi të montuar, të bëhet publike dhe të marrin dënimin e merituar.

Për të mos e zgjatur shumë, këtë punë të filluar dhe përcjellur gjatë dy viteve të kaluara apeloj që ta ndihmojnë dhe përkrahin më fuqishëm edhe organet përkatëse të Qeverisë së Shqipërisë dhe sidomos të Qeverisë së Kosovës, sepse jeta e çdo qytetari shqiptar në Maqedoni vazhdon të jetë e pasigurt dhe në rrezik të vazhdueshëm, për çka edhe gjatë viteve të fundit janë shënuar shpërngulje më masive të shqiptarëve nga ky shtet, sidomos të rinisë shqiptare, që nuk ka ngjarë as pas masakrave serbe të vitit 1912/1913 mbi shqiptarët, as pas Luftës së Dytë Botërore dhe as gjatë “Kohës së Rankoviçit”.

Uroj të jemi përherë bashkë dhe të punojmë më tepër për rastin e Kumanovës, për të gjitha proceset e montuara kundër shqiptarëve dhe për liri dhe të drejtat kombëtare.

Me nderime, Idriz Sinani, Kumanovë
Këshilli për të Drejtat e Njeriut

(Fjalim i mbajtur në tubimin e 9 Majit në Gjakovë me rastin e katërvjetorit të Luftës së Kumanovës)