Është populli viktimë e politikës, apo politika viktima jonë?!

Arbër Çeliku
Shqiptarët sot, të mbështetur për muri, me ngulm kërkojnë ta gjejnë burimin e degradimit mbarëshoqëror, i cili sa vjen e bëhet më gërryes, më ngulfatës dhe më cënues për mirëqenien tonë kolektive. Edhe në takime të rastit, biseda a tryeza debative, ky është boshti tematik dhe postulohen teza nga më të ndryshmet, megjthatë dy janë ato, që e karakterizojnë diskursin e përgjithshëm.
Pjesa më e madhe, tehun e kritikës e drejtojnë kah politikat destruktive, të cilat në kohën e pluralizmit, në vend që të kontribuonin në sanimin e pasojave të monizmit dhe krijimin e programeve të mirëqena kombëtare dhe shoqërore, degraduan aq keq sa edhe e vranë shpresën, si trashëgiminë më të çmuar të njerëzimit. Në këtë tabor, populli shihet si viktimë e politikës.
Një pjesë e opinionit publik fajin ia atribuon komercializimit të gjithçkaje, prirjes egoiste dhe mentalitetit kolektiv shoqëror, sa ata politikën e shohin si viktimë të popullit.
Në të dyja këto qasje ka të vërteta, që nuk mund të mohohen assesi. Partitë tona politike vërtet duhej ta merrnin përsipër rolin e avancimit kombëtar dhe shoqëror dhe jo të ngulfateshin në moçalin e interesit personal. Nga ana tjetër edhe ne duhej ta vazhdonim traditën e të parëve tanë, duke ruajtur me fanatizëm nderin dhe fytyrën dhe jo të ktheheshim në egoistë dhe interesxhinj të papërmirësueshëm. Megjithatë, gabojmë kur politikën dhe popullin i ndajmë nga njëri-tjetri, ngase ata, në rrethanat e krijuara, e kushtëzojnë njeri-tjetrin. Si politika ashtu edhe populli luftojnë për ekzistencë, gjë që është legjitime. Sa është legjitime kthimi i jetës tonë në votë nga ana e politikës, po aq legjitime është vota jonë në këmbim të një favori, vendi pune a avancimi shoqëror. I tepëruar me këtë rast është vetëm moralizimi i çështjes, prandaj si politika ashtu edhe ne dalim qesharakë, por që nuk peshon aq rëndë, duke u nisur nga fakti se të gjithë, në njëfarë mënyre, jemi qesharakë, kush më shumë e kush më pak.
Për ta zbërthyer këtë enigmë tonën, problemin duhet ta shohim pak më thellë. Për dallim nga popujt e tjerë, madje edhe nga ata të rajonit, ne jemi të vetmit që historikisht nuk kemi pasur kurrë një aristokraci për të qenë. Mbase jo aq shumë per fajin tonë, sa për faktin që historikisht të tjerët (armiqtë tanë) na kanë imponuar dhe instaluar njëmendësi dhe elita shoqërore, me synimin e realizimit të projekteve të tyre pushtuese dhe përvetësuese. Në këto kushte, ne as që e kemi pasur potencialin e duhur që të krijojmë një aristokraci, e cila do të kujdesej për të ardhmen e mirëqenë kombëtare dhe shoqërore.
Të gjitha periudhat nën sundim, kanë qenë katastrofale për ne si komb, megjithatë periudha e komunizmit ka qenë më e errëta për mua, sidomos nga fillimi i viteve të 60-ta e këndej, kur UDB-a famëkeqe dhe Akademia e Shkencave Serbe ideuan bashkërisht strategji shfarosëse për shqiptarët, frytet e së cilës po i shijojmë sot.
Dhe, kur ne, në kohë lirie dhe demokracie, nuk arritëm të ngremë një elitë të mirëfilltë shoqërore, do të vazhdojmë pareshtur të merremi me dilemën, se cili është viktima: Ne e politikës, apo politika e jona?!
Fatkeqësisht, as Zoti nuk na përgjigjet dot…