Edi Rama nesër në Ukrainë, zbulohet agjenda

Rama do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të nivelit të lartë ukrainas në Kiev.

Në cilësinë e Kryetarit të Zyrës së OSBE-së për vitin 2020, gjatë vizitës në Ukrainë Rama do të zhvillojë bisedime me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, Kryeministrin Oleksiy Honcharuk, Ministrin e Jashtëm Vadym Prystaiko dhe Kryetarin e Parlamentit Dmytro Razumkov.

Një konferencë për shtyp në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Ukrainës, është planifikuar të mbahet në përfundim të takimit me Ministrin e Jashtëm Prystaiko.

Bisedimet me zyrtarët e lartë në Ukrainë do të përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit midis OSBE-së dhe Ukrainës, në punën e Misionit të posaçëm të monitorimit të OSBE-së (SMM) në Ukrainë, dhe në përpjekjet për një zgjidhje paqësore.

Në Kiev, Rama do të takohet gjithashtu me stafin e SMM, Koordinatorin e Projektit në Ukrainë, dhe Përfaqësuesin e tij Special në Ukrainë dhe në Grupin e Kontaktit Trilateral.

Është planifikuar që të nesërmen e vizitës (21 janar) ai do të vizitojë Ukrainën lindore për të pasur një panoramë më të qartë të situatës në zonat e prekura nga konflikti dhe punën e SMM.

Zyra e OSBE-së ka theksuar se kjo vizitë e parë zyrtare, si Kryetar i Zyrës së OSBE-së nga Rama, pasqyron rëndësinë e madhe që ai i kushton përpjekjeve të OSBE-së për të adresuar krizën rreth Ukrainës, sfida më e ngutshme për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë sot./abcnews.al