Dimitrov në Selanik: S’ka stabilitet në evropë pa integrimin e ballkanit

Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, ka porositur sot nga konferenca “Prej Selanikut deri në Zagreb” se Evropa e plotë, stabile, e suksesshme dhe në paqe nuk mund të paramendohet pa integrim të tërësishëm të Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, kjo është thirrje, në pajtim me konkludimet nga Këshilli Evropian tetorin e kaluar, që të merren vendime për negociatat qasëse me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë para Samitit në Zagreb. Dimitrov theksoi se konferenca e sotme ministrore është shumë simbolike, pasi mbahet në Selanik 17 vjet pas Samitit të parë në këtë qytet në vitin 2003, kur Evropa i premtoi Ballkanit se ardhmëria e tij është së bashku në BE.

Nikolla Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme i MV

“Që të mund të vazhdohet të flitet për perspektivën evropiane të rajonit, është e domosdoshme arritja e koncensusit për dritë të gjelbërt të negociatave qasëse pa prolongim me Maqedoninë e Veriut. Marsi do të jetë test edhe për ambiciet gjeopolitike të Komisionit të ri edhe i vet BE-së për ndikim kredibil global. Sa na përket neve, nuk jemi perfekt, por vlerësoj se të gjithë do të pajtoheni se kemi ndërtuar dosje të fortë dhe kemi arritur rezultat. Është koha që të të njihet rëndësia e momentit nga ana e Këshillit Evropian dhe të kapet shansa për sukses të përbashkët”.

Ndërkohë, shefi i diplomacisë greke, Nikos Dendias, në fjalimin e tij hyrës në këtë konferencë ka thënë se “ardhmëria e Ballkanit Perëndimor është në BE”. Sipas tij, vendet fqinje evropiane të Ballkanit Perëndimor konfirmojnë se rajoni është pjesë integrale e Evropës.

Nikos Dendias, Ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë

“Nuk ka dilema se rajoni i takon BE-së, por vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përkushtohen në qeverisjen e të drejtës, respektimit të të drejtave njerëzore dhe përforcimin e institucioneve demokratike. BE-ja duhet t’i plotësojë premtimet e veta për integrimin e vendeve të rajonit, me çka do të arrihet transformim të Ballkanit Perëndimor, krijim të klimës më të volitshme ekonomike, ulje të papunësisë, tërheqje të investimeve të reja dhe ndalesë të ikjes së intelektualëve”.

Dendias ka shtuar se ky takim mbahet në kohën kur BE-ja përballet me sfida globale edhe kur humb një vend të saj anëtar dhe prandaj në këtë moment kritik duhet ta mbajë idenë evropiane.