Departamenti amerikan i Thesarit: Kina nuk është “vend i manipulimit të kursit të këmbimit”

Departamenti amerikan i Thesarit publikoi më 13 janar “Raportin e Politikave të Kursit të Këmbimit” për 6 muajt e fundit, ku Kina nuk listohet si “vendet manipulator i kursit të këmbimit”.

Në raport përfshihen vlerësimet e analizat e ShBA-së për politikat përkatëse të 20 partnerëve tregtarë kryesorë të saj. Në këtë dokument thuhet se pavarësisht se do të vijojë mbikëqyrja e 10 vendeve për praktikat e tyre monetare, partnerët tregtarë kryesorë amerikanë nuk janë “manipulatorë të kursit të këmbimit”.

Në gushtin e kaluar, Kina u listua nga ShBA-ja si vend manipulator, vendim ky që u kundërshtua ashpër nga pala kineze dhe qarqe të ndryshme ndërkombëtare.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) publikoi gushtin e kaluar raportin e vitit 2019 mbi konsultimet me Kinën lidhur me “Pikën e 4-t të Marrëveshjes së FMN-së”. Në këtë raport vlerësohen përparimet e arritura nga Kina në reformat ekonomike në sektorët kyçë dhe ritheksohet se niveli i kursit të këmbimit të monedhës kineze RMB përputhet me gjendjen e përgjithshme të ekonomisë kineze.

Lidhur me nxjerrjen nga lista të Kinës si “vend manipulues i kursit të këmbimit” nga Departamenti amerikan i Thesarit, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Geng Shuang u shpreh në një konferencë shtypi të organizuar në Pekin se në fakt Kina nuk ka qenë dhe nuk është “manipulatore e kursit të këmbimit”. Ai shtoi se vendimi i ShBA-së për heqjen nga kjo listë përputhet me faktet dhe unanimitetin e komunitetit ndërkombëtar.

“Vlerësimi i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon se niveli i kursit të këmbimit të monedhës kineze RMB përputhet me gjendjen e përgjithshme të ekonomisë së vendit, pra ky vlerësim mohon që Kina është vend manipulator i kursit të këmbimit. Së dyti, Kina është një vend i madh i përgjegjshëm. E kemi ritheksuar disa herë se nuk do të bëjmë zhvlerësimin e monedhës konkurruese dhe nuk do të përdorim kursin e këmbimit si mjet për të përballuar sfidat e jashtme si mosmarrëveshja tregtare. Së treti, Kina do të zbatojë thellimin e reformës së tregtisë së këmbimit valutor, do të vijojë përmirësimin e sistemit të këmbimit valutor me luhatje sipas kërkesë-ofertës së tregut monetar dhe do të ruajë qëndrueshmërinë e këmbimit valutor të RMB-së në nivel të arsyeshëm”, tha Geng Shuang. (Çang Çuo)