Dënohet më 2 vjet heqje lirie ish-ministri serb në qeverinë e Kosovës

Një gjykatë në Prishtinë dënoi të enjten ish ministrin e pushtetit lokal në qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviç, me dy vjet heqje lirie, nën akuzën për “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Sipas akuzës ai me 24 mars të vitit 2019 “në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër ndërhyrjes së NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, kishte deklaruar se ‘arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturit mision paqësor në Kosovë e Metohi”.

Më 9 prill të vitit 2019 ai qe shkarkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili atëbotë tha se “është e patolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes”.

Vetëm pas ditë më herët zoti Haradinaj kishte shkarkuar edhe zëvendësministren e drejtësisë, Vesna Mikiç, për shkak të “gjuhës së urrejtjes dhe deklaratave të papranueshme”.

Ajo shkroi më 25 mars në rrjetet sociale se ”para njëzet vitesh aleanca e NATO-s ka ushtruar gjenocid të planifikuar ndaj një shteti sovran që për dekada ka luftuar kundër terrorizmit shqiptar brenda kufijve të vet”.

Qëndrimet e tilla kishin nxitur shumë reagime e veprimtari kundër mohimit të krimeve të luftës.