Demant ndaj Muhamed Halilit: UT nuk është themeluar në zyra partiake

Abdulla Mehmeti

Në lidhje me të pavërtetën e madhe që politika mundohet ta fusë mes rreshtave, sipas shkrimit me titull “Pranvera në Pragë”, të autorit Muhamed Halili, të publikuar në disa portale dhe në gazetën “Lajm”, më 4 janar 2020, ku mes tjerash thuhet:
“Historia na mëson se UT është themeluar në lokalet e PPD-së ku kryetarë të komunave Tetovë, Gostivar, Dibër, deputetë, ministra e intelektualë, gazetarë e vunë firmën e tyre për themelim.”

UNIVERSITETI I TETOVËS NUK ËSHTË THEMELUAR NË ZYRAT E ASNJË PARTIE POLITIKE

Universiteti i Tetovës nuk është themeluar në lokalet (zyrat) e Partisë për Prosperitet Demokratik, as në zyrat e ndonjë partie tjetër politike të shqiptarëve në Maqedoni, aq më pak kjo ka ndodhur më 16 dhjetor 1994, kur kreu i kësaj partie, një ministër dhe disa funksionarë të tjerë të saj kanë qenë të detyruar ta nënshkruajnë listën për përkrahjen e Vendimit për fillimin me punë të Universitetit të Tetovës, në rrethana të shtetrrethimit policor nga Qeveria, pjesë e të cilës ka qenë edhe kjo parti politike. Sa për freskim të kujtesës, dy ditë më parë, më 14 dhjetor 1994, policia e asaj Qeverie e kishte pushkatuar në orët e mesditës një mësimdhënës shqiptar në Shkup, për t’i frikësuar shqiptarët, ndërsa dy orë më vonë me forca speciale të policisë i kishte rrënuar objektet ku duhej të fillojë mësimi, i kishte bastisur dhe demoluar zyrat e Rektoratit dhe kishte arrestuar e kërcënuar disa drejtues të Universitetit.

Universiteti i Tetovës është themeluar nga Kuvendi për themelimin e Universitetit të Tetovës, i mbajtur në sallën solemne të Komunës së Tetovës, më 4 qershor 1994, në të cilin nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e kësaj partie politike.

PPD atëkohë ka qenë e përçarë në dy pjesë, në krahun politik të Xheladin Muratit dhe krahun politik të Arbën Xhaferit. Krahun politik të Arbën Xhaferit, në Kuvendin themelues të UT-së e ka përfaqësuar nënkryetarja, Mr. Nexhibe Palloshi, ndërsa krahun tjetër politik nuk e ka përfaqësuar askush, edhe pse kanë qenë të ftuar në kohë përmes ftesave zyrtare dhe njoftimit publik në gazetën “Flaka”.

Për shpjegime të tjera nuk e shohim të arsyeshme ta lodhim opinionin për të satën herë, nëse kjo nuk na imponohet, meqë shumëçka është thënë me kohë dhe në formë të argumentuar, përmes shkrimeve, dëshmive dhe dokumenteve të publikuara.

Abdulla Mehmeti, ideator dhe hartues i Platformës për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni (nga Kuvendi themelues: Universiteti i Tetovës, sipas selisë së tij).