Bullgaria, e cila është anëtare e NATO-s, mund të ndihmojë në mbrojtjen e hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut, nëse arrin marrëveshje për blerjen e tetë aeroplanëve F-16 nga SHBA-ja, tha kryeministri Bojko Borisov.

Agjencia e lajmeve BGNES transmeton se Bullgaria, e cila është gjithashtu anëtare edhe e BE-së, tenton që t’i zëvendësojë MiG-29 të vjetër dhe ta përmirësojë harmonizimin me standardet e NATO-s.

Stejt Departamenti amerikan e ka miratuar shitjen eventuale të tetë aeroplanëve F-16 dhe pajisje e ngjashme për Bullgarinë, me çmim prej 1,67 miliardë dollarë. Megjithatë, Bullgaria pret që SHBA-ja të ofrojë për shitje aeroplanë me çmim të ulur prej 1,2 miliardë dollarë.

“Biseduam me kolegun tim Zoran Zaev javën e kaluar, ta ruajmë hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut kur do t’i marrim aeroplanët e rinj. Kjo do të jetë mirë edhe për ata edhe për ne”, deklaroi Borisov.

Propozimi zyrtar amerikan për shitjen e aeroplanëve ushtarakë F-16 në Bullgari pritet që të arrijë në afat prej një jave, bëri të ditur dje ministri bullgar i Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov. Marrëveshja e pritur për F-16 Bllok 70 i Lokhid Martin do të jetë furnizimi më i madh ushtarak i shtetit në Detin e Zi që nga fundi i pushtetit komunist nga viti 1989.

Siç transmeton BGNES, Maqedonia e Veriut shpreson se do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s vitin e ardhshëm dhe gjithashtu, pret që së shpejti të sigurojë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE-në pas marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit Maqedonia. Athina paraprakisht i bllokoi përpjekjet e ish republikës jugosllave që të përfshihen në dy organizatat.