Bisedime në Vjenë për shpëtimin e marrëveshjes bërthamore

Palët e mbetura në marrëveshjen bërthamore me Iranin nisën të premten një takim me zyrtarë të Republikës Islamike, në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen e vitit 2015, me gjithë tërheqjen e Shteteve të Bashkuara.

Bisedimet në Vjenë mblodhën bashkë zyrtarë nga Britania, Franca, Gjermania, Kina, Rusia dhe Irani.

Uashingtoni është tërhequr nga marrëveshja vitin e kaluar, me justifikimin se kushtet e saj nuk janë mjaftueshëm të ashpra për të penguar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Për rrjedhojë, SHBA-ja ka rikthyer një varg sanksionesh kundër Iranit, të cilat i janë hequr kur është arritur marrëveshja.

Irani, si përgjigje, ka nisur të rrisë nivelin e pasurimit të uraniumit.

Uraniumi i pasuruar në shkallë të lartë mund të përdoret për krijimin e armës bërthamore.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do që me presionin e sanksioneve, ta detyrojë Iranin që të rinegociojë marrëveshjen e vitit 2015.

Irani refuzon, duke këmbëngulur se programi i tij bërthamor ka plotësisht qëllime paqësore.

Nënshkrueset evropiane të marrëveshjes – Britania, Franca dhe Gjermania – thonë se marrëveshja duhet të ruhet, por Irani thotë se ato nuk kanë bërë sa duhet për ta mbrojtur ekonominë e tij nga sanksionet e SHBA-së./REL