BDI-ja bllokon Kodin Zgjedhor, kërkon balancimin e njësive

Mosbalancimi i numrit të votuesve në njësitë zgjedhore do të rezultonte në një proces zgjedhor të jashtëligjshëm, vlerëson BDI-ja. Zëdhënësi i kësaj partie dhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani, thotë se kjo është arsyeja që ata janë duke i bllokuar në Kuvend përfshirjen e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-së në Kodin Zgjedhor. Partia e Ahmetit shpreson se pavarësisht afatit të shkurtër, njësitë zgjedhore mund të balancohen.

Devijimi nga 5%-shi ligjor në katër njësi zgjedhore e bën procesin zgjedhor joligjor. Janë rekomandimet e OSBE/ODIHR-së, janë të rëndësishme edhe për zgjedhjet, janë të rëndësishme edhe për vlerësimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj zgjedhjeve. Mirëpo të hyjmë me vetëdije në shkelje të ligjit dhe në një proces joligjor, unë mendoj se rrezikojmë shumë aspekte; rrezikojmë që dikush të kontestojë në Gjykatën Kushtetuese ligjshmërinë e procesit zgjedhor dhe rrezikojmë që pesha e votuesit të jetë e ndryshme”-pohoi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Amendamenti i tyre për Kodin zgjedhor i cili parasheh zhvendosjen e kufijve të njësive dhe kalimin e disa vendvotimeve nga njëra njësi në tjetrën u është dorëzuar LSDM-së dhe VMRO-së. Sipas Osmanit, LSDM-ja është duke bërë analizat kurse VMRO-ja vlerëson se nuk ka mjaftueshëm kohë për këto ndryshime. Mirëpo, zyrtarisht nga partia e Hristijan Mickoskit thonë se Kodi zgjedhor ndryshohet me konsensus mes partive dhe se punojnë akoma për ta arritur atë.

Nuk mundet, nëse dikush këmbëngul në diçka dhe kjo nuk votohet në Kuvend, të themi se shkelet ligjit. Ligji është ashtu siç është i shkruar dhe duhet të zbatohet. Gjithçka që duhet të bëhet në kuadër të ligjit, pavarësisht a bëhet fjalë për Kodin zgjedhor ose një ligj tjetër, ajo duhet të votohet në Kuvend dhe me gjasë kjo do të ndodhë gjatë ditëve të ardhshme dhe normalisht më vonë duhet të respektohet”-tha Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Katër nga gjashtë njësitë zgjedhore kanë numër më të madh ose më të ulët të votuesve se sa e lejon ligji. Njësia e dytë ka +5,74% votues; njësia e tretë, -7,64%; njësia katër, -6,36%; dhe njësia gjashtë, +8,60%, lëvizje nga mesatarja ligjore prej -+5%. Propozimi i BDI-së parashikon kalimin e disa vendvotimeve të Demir Hisarit dhe Negoriçanit të Vjetër nga njësia e dytë, në njësinë e tretë zgjedhor si dhe kalimin e disa vendvotimeve të Dibrës dhe Mavrovës dhe Rostushës nga njësia e gjashtë në njësinë e pestë zgjedhore. Kreu i KSHZ-së Oliver Derkoski, një ditë më parë, deklaroi se nuk do të ishte hera e parë që zgjedhjet do të mbaheshin pa njësi zgjedhore të balancuara.