Lideri i demokratëve Lulzim Basha ka dalë këtë të martë në mbrëmje në një konferencë të jashtëzakonshme, nga ku ka deklaruar se opozita nuk do të vijë në pushtet përmes dhunës, por duke rrëzuar kryeministrin së bashku me popullin shqiptar.

Basha i është referuar historisë në vitet 90’, duke thënë se atë që as Ramiz Alia nuk e bëri, sot po e bën kryeministri Rama, duke çuar shqiptarët në një palë zgjedhje farsë. Basha i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që ta braktisin Ramën ditën e dielë.

Basha: Edi Rama paska vendosur të padisë një gazetar perëndimor i cili zbuloi krimin duke paguar një avokat me paratë e grabitura nga korrupsioni e krimi. E njëjta mbrojtje është ajo që deri dje ai i ka bërë të gjithë socialistëve të tij, mbrojtje totale dhe pandëshkueshmëri absolute.

Tani, po përpiqet të bëjë gjënë e fundit që bën çdo autokrat për të mbajtur pushtetin, zgjedhje farsë. Por ky do të jetë fundi i tij. Votimet farsë nën frikë dhe terror ishin një ndër elementët kryesore të diktaturës. Edhe kur komunizmi po binte, Ramiz Alia u përpoq të krijonte jë pluralizëm falso. U përpoq të bënte në shkurt 91 zgjedhje gjoja pluraliste, por dështoi sepse njerëzit nuk u mashtruan. Tre dekada më vonë, jemi kthyër në të njëjtën situatë. Shqipëria e rrënuar ekonomikisht, demokracia ka rënë, Rama kërkon të mbajë zgjedhje gjoja demokratike për të zgjatur regjimin e tij edhe për pak. Njësoj si atëherë, edhe sot vota do të shpallet plumb kundër armikut. Ramiz Alia nuk e shpëtoi dot regjimin kriminal të Hoxhës, ashtu do jetë dhe për Ramën. Por ndryshe nga Alia, Rama ka vendosur t’i bëjë zgjedhjet.

Tani që nuk shtiret dot më se mund të qeverisë, ai po tenton ta mbajë pushtetin me dhunë dhe aleancë me krimin, sepse ai e di se vetëm nëse ka dhunë dhe përplasje civile do të mund të mbajë pushtetin. Opozita nuk vjen në pushtet me dhunë, por duke rrëzuar regjimin e Ramës i bashkuar me popullin shqiptar.

Unë dhe e gjithë opozita, jemi të vendosur për të zhdukur çdo lidhje të krimit me politikën.