ASH i përgjigjet Zaevit: Lajmet e rreme nuk të arsyetojnë!

“Mos pasja e argumenteve është bërë traditë për “fake news” nga kryeministri i vendit, Zoran Zaev. Nuk është hera e parë që arsyetohet nëpërmjet lajmeve të rrejshme që ai vetë i shpërndan, dhe pastaj fajëson shërbimin e tij të informimit për keqinformim!”, reagoi sot ASH duke iu përgjigjur Zaevit. Sipas ASH-së, në një deklaratë për media Zaevi mohon se Mali i Zi ka ratifikuar protokollin për anëtarësim në NATO, para se i njëjti të ratifikohet nga të gjitha shtetet tjera anëtare të NATO-s, dhe madje e quan antikushtetues një veprim të tillë.
Por, siç edhe ai vetë tha ekzistojnë dokumente që e dëshmojnë këtë praktikë që ka ndodhur në Mal të Zi, që do të thotë se nuk ekziston asnjë pengesë juridike që e njëjta të ndodhë edhe tek ne. “Mali i Zi ka ratifikuar protokollin në prill të vitit 2017, ndërkaq Gjermania, Holanda dhe Spanja ratifikimin e kanë bërë në maj të vitit 2017. Kjo dëshmon se arsyeja e vetme që kryeministri mohon se ka precedent për këtë rast, është mundësia që ai me partinë që bashkë qeverisin dëshirojnë ta krijojnë për shtyrje të zgjedhjeve. Aleanca për Shqiptarët qëndron fuqishëm pas kërkesës së saj që protokolli të ratifikohet në kuvend në dhjetor, që më 12 prill të shkojmë në zgjedhje të parakohshme.”, reagon ASH.