Aktorët e Teatrit Shqiptar në Shkup nga sot do të jenë të barabartë me kolegët e tyre maqedonas të teatrove tjerë të vendit sa i përket pagave, shkruan gazeta Lajm. Një ditë pasi, Qeveria miratoi informacionin për nivelizim të rrogave të të punësuarëve në institucionet e kulturës, Teatri Shqiptarë në Shkup ka firmosur Marrëveshjen Kolektive me Sindikatën e Kulturës. Në këtë mënyrë, ndërpritet diskriminimi ndaj aktorëve shqiptarë të cilët që nga viti 2005 marrin paga më të ulëta se kolegët e tyre maqedonas, shkruan gazeta Lajm.

Adem Karaga, drejtor i Teatrit Shqiptar në Shkup: “Më në fund jam shumë i lumtur që një pjesë e hakut të hëngër të punonjësve të Teatrit Shqiptar sot po merr fund dhe rrogat e prillit do të vijnë të nivelizuara me gjithë institucionet tjera. Kjo është shumë e rëndësishme për ne, pavarësisht si do ta quajmë këtë lloj diskriminimi. Realisht, janë vite të tëra që ne nuk kemi marrë paga të barabarta me institucionet tjera siç është Teatri Popullor, ai i Dramës apo institucione tjera të teatrove. Pra, bëhet fjalë për nivelizim dhe jo rritje rrogash. Realisht ne kemi ardhur aty ku meritojmë të jemi, jo që na janë rritur rrogat”.

Kryetari i Sindikatës së Aktorëve, Hamdi Rashidi, thotë se pas vendimit të një dite më parë dhe firmosjes së Marrëveshjes Kolektive me Teatrin Shqiptar, po i jepet fund një padrejtësie shumë vjeçare, shkruan gazeta Lajm.

Hamdi Rashidi, Kryetari i Sindikatës së Aktorëve: “14 vite e presim këtë ditë. Me shumë dëshirë sot  firmosim Marrëveshjen Kolektive dhe prej nesër aktorët do të kenë rroga të nivelizuara, por kjo nuk është rritje rrogash”.

Nga Ministria e Kulturës sqarojnë se me vendimin e miratuar nga Qeveria, do të bëhet nivelizimi i rrogave për 2899 persona të punësuar në institucionet e kulturës, duke filluar nga paga e muajit prill të vitit 2019.

Nurxhane Asanovska, zëdhënëse e Ministrisë së Kulturës: “Me nivelizimin e rrogave, këtu përfshihen edhe rrogat e aktorëve. Dua poashtu të potencoj se nivelizimi i rrogave si shtyllë kryesore e shoqërisë tonë të përbashkët zbatohet sipas veprimtarive dhe jo sipas përkatësisë etnike apo fetare të të punësuarve në kulturë, përfshirë edhe aktorët. I gjithë procesi për nivelizimin e rrogave ka kaluar pa asnjë problem”.

Prej vitesh, aktorët dhe të punësuarit tjerë në Teatrin Shqiptar në Shkup kanë marrë rroga sa gjysma e pagave të kolegëve të tyre maqedonas. Ata në të kaluarën shumë herë i janë drejtuar me peticion ministrisë së Kulturës për nivelizimin e pagave, por kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër deri dje, kur qeveria miratoi vendimin që i jep fund këtij diskriminimi të aktorëve shqiptarë.

Gazetar: Albion Memeti
Operator: Muhamedin Osmani

Loading...