Ansambli i Këngëve dhe Valleve Karshiaka po përgatitet intensivisht për edicionin e 13-të të Festivalit ndërkombëtarë “Skupi” që do të mbahet nga data 28-31 te muajit gusht, në sheshin Skenderbeu dhe disa lokacione tjera në Shkup. Në këtë festival do të marrin pjesë shumë ansamble nga disa shtete si India, Sllovakia, Turqia, Kroacia, Kosova, Shqipëria dhe Armenia.

Gazeta Lajm ka ndjekur nga afër përgatitjet. Drejtuesi Burhan Salihi, tha se Ansambli Karshiaka plotëson të gjitha kriteret dhe posedon kapacitete e nevojshme për të organizuar festivale ndërkombëtare.

Koreografi i Ansamblit, Adem Murtezani, para kamerës së gazetës Lajm ka folur për punën e “Karshiakës”. Ai është ndalur edhe te rënia e interesit të të rinjve për t’u anëtarësuar në Ansamble, me ç’rast ka kritikuar edhe mediat në Maqedoni që, sipas tij, nuk i kushtojnë rëndësinë e duhur kulturës.
Valltarët e intervistuar nga gazeta Lajm, shprehen shumë të kënaqur nga eksperienca dhe thonë se pasioni ndaj valles i shtyrë të trokosim në dyert e ansamblit “Karshiaka”.

Ansambli “Karshiaka”, funksionon që nga viti 1993 dhe ka shënuar shumë suksese. Në fillimet e veta, valltarët e “Karshiakës” kanë marrë pjesë në festivalet kombëtare. Ndërkohë, viteve të fundit, drejtuesit e ansamblit janë të përqëndruar kryesisht për festivalet ndërkombëtare, ku prezantohen vlerat kombëtare./Gazeta Lajm&Lajm TV/