Edoardo “Edy” Reja është emri i përzgjedhur nga Federata Shqiptare e Futbollit për të drejtuar skuadrën kuqezi në kualifikueset për Europianin e vitit 2020, duke zëvendësuar në stol bashkëkombasin e tij, Christian Panucci, të shkarkuar pas humbjes që Shqipëria pësoi me Turqinë më 22 mars.

Caktimi i Edy Rejas për stolin kuqezi u jep fund kërkimeve të FSHF-së, fushatë për të cilën, ditët e fundit u përfol se ishte në kontakte edhe me kandidatë të tjerë, si Alberto Zaccheroni, apo edhe Francesco Guidolin. Mësohet se Reja do të mbërrijë ditën e martë në Tiranë për të nënshkruar edhe kontratën e tij me Federatën Shqiptare të Futbollit.

Edy Reja është një emër i njohur në futbollin italian. I lindur në vitin 1945, trajneri 73-vjeçar ka drejtuar një sërë skuadrash në Serie A, por edhe në Kroaci. Periudhën më të gjatë të qëndrimit në pankinë, Reja e ka kaluar pikërisht te Napoli në vitet 2005-2009, teksa e ndihmoi këtë skuadër të ngjitet nga Serie C1 në Serie A.

Pas aventurës te Napoli, Reja drejtoi Hajdukun e Splitit, ku qëndroi për një sezon, për t’u kthyer sërish në Itali nën drejtimin e Lazios, e më pas të Atalantës, që ishte edhe skuadra e fundit e tij.