Gjykimi për lëndën “Titanik” të PSP-së vazhdon më 23 prill, pasi seanca e sotme është anuluar për shkak të mungesës së gjykatësit Ognen Stavrev.

“‘Titanik” gjendet në procedurë dëshmie dhe prezantohen prova materiale të propozuara nga PSP. Bëhet fjalë për rreth 5.900 prova materiale. Prezantohen dokumente personale si kërkesa për dhënie të letërnjoftimeve, deklarata për persona të autorizuar, fragmente nga llogaritë, vërtetime dhe dokumente tjera.

Kryetar i Trupit gjykues është gjykatësi Osman Shabani, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurorja e PSP-së, Lile Stefanovska.

Përveç ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski i cili është në arrati në Hungari, në “Titanik” të akuzuar janë Kirill Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Biljana Birshkoska Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristoski, Kirill Todorvski, Katerina Vellovska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjkan Nakievski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashjakovska.

Ata dyshohen për bashkim kriminel, shkeljen e së drejtës së votimit, shkeljen e lirisë së përcaktimit të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, asgjësimin e materialit zgjedhor dhe keqpërdorimin e mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore.