Tifozët maqedonas “Komiti” sërish kanë shfryrë urrejtjen ndaj shqiptarëve. Thirrjet e tyre fashiste janë përsëritur edhe në ndeshjen “Vardar-Shkëdija” që u zhvilluar në lagjen Maxhari të Shkupit, në derbin e javës së 28-të të ligës së parë të Maqedonisë Veriore në futboll, shkruan gazeta Lajm. Që nga fillimi i ndeshjes, huliganët maqedonas të Vardarit kanë nisur të lëshojnë në kor ofendime dhe fyerje fashiste, duke mos kursyer asnjë fjalë të keqe për shqiptarët.

Huliganët maqedonas ishin edhe më të zëshëm në momentin kur spikeri zyrtar kërkonte që të ndalojnë me ofendime dhe fyerje në baza kombëtare.

Trajneri i Vardarit, Aleksandar Vasoski, e pranon se fyerjet raciste të Komitëve ndaj shqiptarëve e dëmtojnë futbollin vendor dhe nuk duhet të jenë të pranishme nëpër stadiume. Megjithatë, ai thotë se ndjehet i pafuqishëm për ta ndryshuar këtë situatë.
Sinkron:Trajneri Aleksandar Vasovski, Trejneri i KF. Vardarit

“Gjithsesi se është keq. Unë si pedagog dhe si trajner do të mundohem që të çrrënjoset nacionalimi. Çka të them, unë jam i pari që jam kundër tyre. Duhet të merren iniciativa dhe të mbahen mbledhje në nivele më të larta që të crrënjoset nacionalizmi. E di se kjo është çështje mjaftë e ndjeshme, sidomos për gjendjen momentale tek ne”, tha për gazetën Lajm Aleksandar Vasovski, trajner i Vardarit.

Ulurimat anti-shqiptare të huliganëve të tërbuar maqedonas në një moment të ndeshjes detyruan edhe referin kryesor që të ndërpresë takimin për disa minuta.

Por, huliganët maqedonas nuk janë mjaftuar vetëm me thirrjet fashiste. Të pakënaqur nga rezultati, nga fundi i ndeshjes kanë hedhur mjete të ndryshme në fushë, duke qëlluar edhe mbrojtësin e Shkëndijës, Mevlan Murati.

Nga policia nuk kanë bërë të ditur nëse kanë ndërmarrë masa kundër këtyre huliganëve maqedonas. Sikur në kohën kur MBP-ja drejtohej nga Gordana Jankullovksa, edhe tani përfaqësuesit e MPB-së mundohen të shmangin përgjigjet sa herë që pyetën për ofendimet që bëjnë ndaj shqiptarëve huliganët e quajtur “Komiti”.

Gazeta Lajm kontaktoi me zyrtarët e policisë por, askush nuk dha përgjigje nëse ndaj “Komitëve” do të ndërmerren masa.
Ndërkohë, nga komisioni garues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë thonë për gazetën Lajm se të martën (16 prill 2019) do të kenë mbledhje dhe se pritet të ngritet procedurë kundër klubit të Vardarit.

Heshtja e institucioneve ndaj thirrjeve fashiste të huliganëve të Vardarit, ka trimëruar në disa raste “Komitët” që të futën edhe në shtëpitë e shqiptarëve dhe t’i dhunojnë ata siç ndodhi disa vite më parë në Lagjen Nerez të Shkupit, ndërsa dhunuesit kaluan pa sanksione. /Gazeta Lajm