Zhvillimet e fundit politike në vend kanë zhgënjyer qytetarët dhe ata nuk kanë motiv që të dalin dhe të votojnë për kryetar shteti. Këtë e kanë vlerësuar njohësit e rrethanave politike, Zoran Ivanov dhe Todor Pendarov, gjatë emisionit Studio e Hapur në TV Shenja. Sipas tyre, do të jetë shumë e vështirë që të arrihet cenzusi në këto zgjedhje. Sipas analistit Zoran Ivanov, nëse nuk arrihet cezusi që në rrethin e parë, gjë që sipas tij është logjike, këtu do të përfundojë gjithçka, pasi rrethi i dytë do të jetë shumë demotivues për elektoratin.

Zoran Ivanov, Analist
“Njerëzit duhet të kenë motiv që të dalin nga shtëpia dhe të votojnë. Në shtet ka një letargji totale, rreth rendit jurdik, ndryshimit të Kushtetutës me muskuj, kompromiseve të fshehta, shpërbërjes së PSP, margjinalizimit të PSP-së, prishjes së rendit juridik, amnestimit të kriminelëve të dëshmuar… Fushata akoma nuk ka filluar. Nuk jam i sigurt nëse politikanët aktual, kryeministri, kryetari I opozitës, Ali Ahmeti dhe të tjerët kanë autoritet të mjaftueshëm që t’u thonë njerëzve dilni të zgjedhim kryetar shteti, posaçërisht pasi sundimit 10 vjeçar të presidentit aktual, i cili është gjithçka përpos president”.

Ndërkohë, Pendarov duke komentuar zhvillimet e fundit në vend, përfshirë edhe takimin Zaev – Mickoski dhe çështjen e PSP-së, tha se në shtet janë shkatërruar të gjitha normat juridike dhe etike dhe tani kemi një dakordim të vrazhdë, siç u shpreh ai, i cili në fund përfundon me përfitime personale të strukturave të caktuara politike, ndërsa llogarinë në fund e paguajnë qytetarët.

Todor Pendarov, Analist
“Ne jemi 30 vite shtet i dakorduar, 30 vite nuk jemi shtet juridik. Sa I përket takimit të fundit, ai ka ardhur pas vizitës së Rikerit. Takimi ishte I stilit klasik të folklorit ballkanit. Shkohet në kompromise. Nëse kur kanë filluar të publikohen bombat unë kam mbështetur themelimin e PSP-së, tani jam I zhgënjyer nga ajo çfarë duan të bëjnë me PSP-në”.

Dy analistët thane se sa i përket rasteve të PSP-së, ka drejtësi selektive dhe ka dakordim të fshehtë mes partive që të shpëtohen persona të caktuar nga gjykimi.