Një e katërta e të vdekurve para kohe dhe e sëmundjeve vjen si shkak i ndotjes së ajrit që provokohet nga faktori njeri. Është ky alarmi i lëshuar nga OKB-ja në eventin Global Environment Outlook (GEO) ku po diskutohet raporti mbi gjendjen e planetit tonë. Gazrat e lëshuar në atmosferë nga produktet kimike, që po ashtu kanë kontaminuar edhe ujin e pijshëm, venë në rrezik gjithë ekosistemin që garanton mbijetesën e miliarda njerëzve mbi tokë. Një problem ky që ka të bëjë me shkaqet e ekonomisë globale.

Analizat e OKB-së kanë ardhur si rezultat i kërkimeve të 250 shkencëtareve në në mbi 70 vende të botës në një studim që ka zgjatur të paktë 6 vjet. Shkencëtarët kanë vënë në evidencë ndryshueshmërinë mes vendeve të varfra dhe vendeve të pasura duke arritur në rezultatin se: mbi konsumi, produktet e kontaminuar  dhe shpërdorimi i mallrave në Veri të botës sjellin uri, varfëri dhe sëmundje në Jug të saj.

Ndërkohë që gazrat e shkarkuar sjellin një rritje efektit sera, ndryshime klimatike të shoqëruara me thatësira dhe përmbytje, rrezikojnë jetën e miliarda personave në rruzullin tokësor.