U luajtën 5 ndeshje në NBA, ku spikat fitorja në frymën e fundit e Golden State Warriors 120-118 në “Oracle Arena” ndaj Miami Heat. 5 sekonda para rënies së sirenës për përfundimin e takimit, kur rezultati ishte në ekuilibër të plotë 118-118, DeMarcus Cousins fitoi dy gjuajtje të lira, të cilat i realizoi me gjakftohtësi. Spikati në statistika Kevin Durant me 39 pikë, ndërsa Klay Thompson dhe Stephen Curry shtuan respektivisht 29 dhe 25 pikë. Për Miamin nuk morën vlerën e duhur 37 pikët e Richardson.

Vjen fitorja e dytë radhazi e Philadelphia 76ers, pas marrveshjes për blerjen e Tobias Harris. Ish-basketbollisti i Los Angeles Clippers ishte një nga protagonistët e fitores shtëpiake ndaj Los Angeles Lakers me rezultatin 143-120. Joel Embiid spikati me “doble-double”, plot 37 pikë dhe 14 topa të kontrolluar poshtë koshit, ndërsa Harris shtoi edhe 22 pikë të tjera. Lakers lanë për të dëshiruar në fazën mbrojtëse dhe kur LeBron James shënon vetëm 18 pikë, disfata është e paralajmëruar. Në këtë ndeshje nuk vlejtën as 39 pikët e Kyle Kuzmas.

Luka Doncic vijon sezonin magjik në radhët e Dallas Mavericks, që edhe pse u ndodhën -14 pikë në fund të periodës së tretë, në fund arritën të triumfonin 102-101 ndaj Blazers. Talenti slloven e mbylli takimin 28 pikë, 6 asistime dhe 8 “rebound”, ndërsa Portlandi nuk diti të maksimizonte 30 pikët e Damian Lillard.

Phoenix Suns pësuan humbjen e 14-të radhazi me shifrat 117-104 ndaj Sacramento Kings, ndërsa Atlanta Hawks kaluan me lehtësi 124-108 Orlando Magic.

Rezultatet:

Dallas Mavericks – Portland Trail Blazers 102-101

Philadelphia 76ers – Los Angeles Lakers 143-120

Sacramento Kings – Phoenix Suns 117-104

Atlanta Hawks – Orlando Magic 108-124

Golden State Warriors – Miami Heat 120-118