Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se kanë prova që ekziston një skenar improvizimi për një krizë humanitare në veri të Kosovës.

Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri u ka thënë gazetarëve se nuk do të lejojnë t’u mungojë asgjë qytetarëve të Kosovës në veri të vendit, por që do t’i dekonspirojnë projektet e tilla ,që sipas tij janë të çuditshme.

Haradinaj tha se janë të detyruar të vendosin rend dhe ligj në veri të vendit, dhe se nuk do të kthehen prapa por do të punojnë drejt përforcimit të ligjit atje.

Ditë më parë, KosovaPress raporto se po përgatitet një plan nga njerëz të caktuar në veri ,të dirigjuar nga Beogradi, me qëllim që të pasqyrojnë një gjendje të rëndë, të ashtuquajtur “katastrofë humanitare”.

Burime të sigurta të KosovaPress-it, kanë treguar se javën që shkoi është mbajtur një takim urgjent në hotelin ‘Gray’ në veri të Mitrovicës, ku kanë marrë pjesë kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave veriore, disa afaristë të shquar të asaj pjese, përfaqësues ilegal të institucioneve, si dhe një zyrtar i lartë i qeverisë nga Beogradi, me ç’rast veç tjerash, është hartuar plani për “katastrofën humanitare” në veri.

Sot, kryeministri i Kosovës tha se nuk do të lejojnë kontrabandën atje, që sipas tij, përveç produkteve ushqimore, aty mund të bartet edhe narkotikë dhe armë.

Pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj është përgjigjur edhe për gjendjen në Telekom, ku dje u bë e ditur që do të shkëputet kontrata me Z-mobile.

Ai tha se çdo kush për çdo veprim në Telekom do të mbahet përgjegjës.

Të martën, shefi i ekzekutivit edhe njëherë përsëriti se takimi mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, në Berlin, është mbajtur me ftesë të zyrës së kancelares Angela Merkel dhe si i tillë nuk është i fshehtë.

Ai tha se kjo është në mandatin e Qeverisë së Kosovës, dhe se i ka njoftuar partnerët e koalicionit qeverisës me kohë.

Në mbledhjen e sotme Qeveria, ndër të tjera, miratoi propozim-vendimin për tërheqjen nga procedurat e shqyrtimit në Kuvend, të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për financimin e subjekteve politike.

Gjithashtu, qeveria u dakordua për themelimin e komisionit për hartimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për personat e zhdukur.